Drejtoritë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Administratës së Provës nisën punën për programet e përgatitjes për lirimin e të burgosurve ekstremistë të dhunshëm në Shqipëri.
Një Grup Pune (GP) i përbërë nga përfaqësues të Drejtorive të Përgjithshme Shqiptare të Administratës së Burgjeve dhe Provës, profesionistë të burgjeve nga tre burgje (Burrel, Peqin dhe Fier) dhe përfaqësues të Qendrës Shqiptare Koordinuese Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendra CVE) diskutuan çështjet urgjente që pengojnë shkëputjen, rehabilitimin dhe riintegrimin e suksesshëm të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm (VEP). Anëtarët e GP artikuluan sfidat kryesore me të cilat ata përballen në menaxhimin e rehabilitimit të VEP-ve dhe përgatitjen e kalimit të tyre nga jeta në burg në jetën në komunitet, gjatë takimit të parë të GP të projektit për Shqipërinë të mbajtur në Tiranë në datat 20-21 nëntor 2023. Pjesëmarrësit diskutuan sfidat dhe parakushtet për një tranzicion të suksesshëm, duke analizuar programet aktuale të rehabilitimit për terroristët e dënuar dhe metodologjitë e disponueshme. Standardet dhe rekomandimet përkatëse të Këshillit të Evropës lidhur me punën me VEP-të dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore u konsideruan si një gur themeli për rehabilitimin dhe përgatitjen e suksesshme dhe efektive për lirimin e kësaj kategorie të burgosurish. Anëtarët e GP u pajtuan më tej se bashkëpunimi efektiv dhe efikas i shumë agjencive është një domosdoshmëri në rehabilitimin dhe riintegrimin, dhe theksuan parakushtet thelbësore për një bashkëpunim të tillë, duke përshëndetur iniciativën e Qendrës CVE për të krijuar një mekanizëm të përshtatshëm në nivel qendror dhe atë të komunitetit lokal që do të nxisë bashkëpunimin ndërmjet të gjitha institucioneve përkatëse. Bazuar në diskutimet, u propozua që një përmbledhje e programit të përgatitjes për lirim të zhvillohet më tej si një kornizë nga partnerët përfitues shqiptarë me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të komponentit specifik për Përfituesin e aksionit “Rritja e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimi i radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, zbatuar nën Programin e Lehtësimit Horizontal dhe fazës së tretë të tij, bashkë -financuar nga BE dhe KiE dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.