Fuqizimi  i shërbimeve sprovuese në Kosovë*: trajnimi i zyrtarëve sprovues për rehabilitim, riintegrim dhe përgatitje për lirim

Këshilli i Evropës vazhdon të ndihmojë Shërbimin Sprovues të Kosovës në forcimin e kapaciteteve të tij lidhur me menaxhimin e shkelësve të dhunshëm ekstremistë (VEO). Më 11-12 dhjetor, 19 zyrtar sprovues që përfaqësonin katër (nga shtatë) Drejtoritë Rajonale u mblodhën për një trajnim kaskadë që synonte forcimin e kapaciteteve të tyre për të mbështetur kthimin e VEO-ve në shoqëri. Shërbimet e provës luajnë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e individëve pas lirimit të parakohshëm ose me kusht, dhe kjo iniciativë u fokusua në pajisjen e tyre me aftësitë e nevojshme për të trajtuar rastet që përfshijnë VEO dhe shkelësit e cenueshëm ndaj radikalizimit.  Gjatë dy ditëve të këtij trajnimi kaskadë, pjesëmarrësit patën mundësi të marrin njohuri të zgjeruara të programit të rehabilitimit dhe përgatitjes për lirim, si dhe të metodologjisë së mbështetjes pas lirimit, duke përfshirë qasjet më të mira për riintegrimin e kësaj kategorie shkelësish në shoqëri, dhe monitorimin e tyre. Përveç kësaj, ata u njohën me mjetet e shqyrtimit dhe vlerësimit të rrezikut dhe aplikimin e tyre për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve të radikalizimit, të përshtatura posaçërisht për të burgosurit ekstremistë të dhunshëm. Duke forcuar aftësitë e zyrtarëve të provës, Këshilli i Evropës synon të sigurojë që ata të jenë të përgatitur mirë për të kontribuar në rehabilitimin dhe riintegrimin e shkelësve, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e komunitetit të gjerë. Kjo ngjarje, u organizua nën Veprimin rajonal  “ Rritja e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, pjesë e programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal  III, i cili është duke u mundësuar Përfituesve të përmbushin agjendat e tyre të reformave në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, gjë që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

*Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës