Bashkëpunimi i të gjithë shoqërisë, kyç për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve dhe të burgosurve për ekstremizëm të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor
Përfituesit dhe aktorët publikë nga gjithë Ballkani Perëndimor u mblodhën në Durrës / Shqipëri për të riformësuar rezultatet e bashkëpunimit të shtuar ndërkufitar në menaxhimin e të dënuarve dhe të burgosurve për ekstremizëm të dhunshëm, në një konferencë dyditore të organizuar me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Ekspertë dhe praktikues nga i gjithë Ballkani Perëndimor, shtete anëtare të BE-së, partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të shërbimeve të burgjeve dhe provës, ministrive përkatëse, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare patën mundësi të shkëmbejnë praktika të mira, të diskutojnë sfidat e reja dhe të identifikojnë qasje efektive të përbashkëta për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve dhe të burgosurve për ekstremizëm të dhunshëm (VEP/VEO), si dhe të të burgosurve të tjerë të cenueshëm ndaj radikalizmit. Pjesëmarrësit theksuan se rehabilitimi i qëndrueshëm dhe riintegrimi i suksesshëm mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, ndërhyrjeve të koordinuara dhe angazhimit aktiv të komuniteteve lokale. Ata riafirmuan se një qasje gjithëpërfshirëse “e gjithë shoqërisë” mbetet thelbësore për reduktimin e recidivizmit, parandalimin e radikalizmit të mëtejshëm dhe mbështetjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të komuniteteve. Kjo përfshin përcaktimin e qartë të roleve dhe përgjegjësive për të gjithë aktorët e përfshirë në ofrimin e mbështetjes pas lirimit, si dhe mekanizmave të krijuar për ndarjen e informatave dhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes akterëve. Në këtë kontekst, ndërtimi i kapaciteteve të të gjitha institucioneve dhe palëve të interesuara është vendimtar për të siguruar rehabilitim dhe riintegrim efektiv. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan gjithashtu rëndësinë e monitorimit sistematik të progresit të rehabilitimit dhe riintegrimit për të siguruar vazhdimësinë, përgjegjshmërinë dhe efektivitetin e ndërhyrjeve. Një segment i veçantë i konferencës iu kushtua dimensionit gjinor të radikalizimit, duke analizuar rolin e grave në organizatat ekstremiste, qasjet e ndjeshme ndaj gjinisë në rehabilitim dhe mësimet e nxjerra nga puna me gratë e rikthyera në Ballkanin Perëndimor. Përfundimet e konferencës ofrojnë bazë për përmirësimin e përgjigjeve gjithëpërfshirëse ndaj VEP/VEO-ve në rajon, forcimin e përpjekjeve për rehabilitim e riintegrim dhe uljen e rrezikut të recidivizmit. Konferenca u pasua nga Mbledhja e 7-të e Komitetit Drejtues të veprimit rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, ku përfaqësuesit e përfituesve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vlerësuan vazhdimësinë e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, bënë bilancin e arritjeve kryesore dhe diskutuan për prioritetet që kërkojnë mbështetje të mëtejshme në fushën e P/CVE në rajon. Këto aktivitete u organizuan nga veprimi rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, në kuadër të programit të përbashkët BE-Këshilli i Evropës, Instrumenti Horizontal III. *Ky emërtim është pa paragjykuar qëndrimet rreth statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.