Autoritetet në Maqedoninë e Veriut forcojnë kapacitetet për mbështetjen e të burgosurve ekstremistë të dhunshëm gjatë përgatitjes për lirim dhe pas lirimit

Një nga shtyllat kryesore për riintegrimin efektiv të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm (VEP) dhe të burgosurve të tjerë të cenueshëm ndaj radikalizimit është bashkëpunimi efikas ndërinstitucional. Në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në përputhje me standardet evropiane, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës po mbështesin institucionet korrektuese dhe institucionet përkatëse lokale në Maqedoninë e Veriut për të forcuar kapacitetet e tyre, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional në trajtimin efektiv të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm. Pas hartimit të procedurave ‘hap pas hapi’ për proceset para lirimit dhe pas lirimit të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm dhe të burgosurve të tjerë të rrezikuar nga radikalizimi, në Shkup u organizua një aktivitet për ngritjen e kapaciteteve, ku morën pjesë stafi i institucioneve korrektuese, anëtarë të ekipeve multidisiplinare lokale (shërbimet e punësimit, institucionet arsimore dhe shëndetësore), përfaqësues të agjencive të zbatimit të ligjit dhe zyrave të shërbimit të provës. Pjesëmarrësit u njohën me hapat që duhet të ndërmarrin institucionet korrektuese dhe institucionet e tjera përkatëse për përgatitjen e të burgosurve për lirim dhe për mbështetjen e tyre pas lirimit. Këto përfshijnë rolet dhe përgjegjësitë kryesore të stafit korrektues, informatat që duhet të shkëmbehen në mes institucioneve, si dhe rolin e mundshëm të organizatave të shoqërisë civile në peridhën e pas lirimit. Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit thelluan njohuritë e tyre mbi rolet dhe procedurat që zbatohen nga secili institucion, si dhe forcuan aftësitë për përgatitjen e procesit individual të para lirimit dhe planit të mbështetjes pas lirimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes së vlerësimit përfundimtar të rrezikut dhe nevojave para lirimit, si dhe shkëmbimit të informative dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse nga fillimi i procesit të para lirimit. Për herë të parë, stafi i Shërbimit të Provës rriti ndërgjegjësimin mbi ekstremizmin e dhunshëm, sfidat dhe praktikat e mira në rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve ekstremistë të dhunshëm dhe të burgosurve të tjerë të cenueshëm ndaj radikalizimit. Ky është një hap i rëndësishëm fillestar në përgatitjen e stafit të Shërbimit të Provës për menaxhimin e mundshëm të autorëve të veprave penale të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm, në rast se në të ardhmen ata dënohen me masa alternative. Ky trajnim u organizua në kuadër të veprimit rajonal  “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Përendimor për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit ”, i cili zbatohet në kuadër të fazës së tretë të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".