Forcimi i kapaciteteve të stafit të provës në Shqipëri për menaxhimin e autorëve të ekstremizmit të dhunshëm
Menaxhimi efektiv, rehabilitimi dhe riintegrimi i autorëve të ekstremizmit të dhunshëm (VEO) nën një regjim prove kërkon që stafi i shërbimit të provës të ketë aftësi dhe njohuri të specializuara. Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të praktikuesve të provës në Shqipëri dhe për të siguruar suksesin afatgjatë të menaxhimit dhe riintegrimit efektiv të VEO-ve, u organizua një trajnim kaskadë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Trajnimi, i mbajtur më 16 prill në Tiranë, mblodhi 28 pjesëmarrës nga 18 zyra prove nga e gjithë Shqipëria. Për herë të parë, zyrtarët e e provës nga i gjithë vendi patën mundësinë të mësonin rreth dukurisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe të rrisin njohuritë dhe aftësitë e tyre në aplikimin e instrumenteve të posaçme të VEO për skrinim, vlerësim të rrezikut dhe të nevojave. Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit hartuan plane të trajtimit individual dhe programe rehabilitimi. Ata tani janë më mirë të përgatitur për të mbështetur rehabilitimin dhe riintegrimin e VEO-ve, si dhe për të parandaluar dhe zbuluar radikalizimin e mundshëm ndër autorët e veprave penale. Trajnimi u drejtua nga kolegë me eksperiencë, të cilët kanë marrë pjesë në zbatimin pilot të këtyre instrumenteve në njërën nga Zyrat e Provës në Shqipëri, punojnë drejtpërdrejt me VEO-t dhe janë trajnuar për të transferuar njohuritë te kolegët e tyre. Përvoja e tyre praktike dhe njohuritë konkrete shtuan vlerë të konsiderueshme në procesin e të mësuarit. Shërbimi i Provës i Shqipërisë ka njohur rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve të brendshme dhe nxitjes së transferimit të njohurive mes kolegëve. Kjo qasje kontribuon në zhvillimin të qëndrueshëm dhe afatgjatë të aftësive të zyrtarëve të provës. Sesioni kaskadë u mbështet nga veprimi rajonal “Fuqizimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit ”, i zbatuar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës nën “Instrumentin Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.