Harmonizimi i praktikave dhe avancimi i bashkëpunimit për forcimin e mbështetjes pas lirimit për autorët e veprave ekstremiste të dhunshme në Ballkanin Perëndimor
Rreth 40 përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Sarajevë më 3–4 dhjetor 2025, së bashku me ekspertë të Këshillit të Evropës, për të shkëmbyer njohuri, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të harmonizuar qasjet sa i përket ofrimit të mbështetjes së vazhdueshme për autorët e veprave ekstremiste të dhunshme (VEO) pas lirimit nga burgu. Konferenca dyditore rajonale përfshiu përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me parandalimin dhe luftimin e radikalizimit dhe terrorizmit, si dhe përfaqësues të sistemeve të burgjeve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pjesëmarrësit rritën ndërgjegjësimin dhe kuptimin e tyre për rëndësinë e ofrimit të mbështetjes së vazhdueshme pas lirimit nga burgu të VEO-ve. Një nga aspektet kyçe të diskutuara gjatë konferencës ishte bashkëpunimi ndërinstitucional, i cili duhet të fillojë gjatë përgatitjes për lirimin dhe të vazhdojë pas lirimit të VEO-s për të siguruar riintegrim efektiv në shoqëri. Një aspekt tjetër i diskutuar gjatë konferencës ishin alternativat ndaj burgimit dhe mundësia e përdorimit të sanksioneve dhe masave në komunitet për VEO-t, duke ofruar kështu mundësi më të mira për riintegrimin e tyre dhe uljen e recidivizmit. Konferenca gjithashtu ofroi hapësirë për ndarjen e përvojave ndërmjet pjesëmarrësve, rritjen e njohurive mbi praktika të ndryshme që lidhen me riintegrimin e VEO-ve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për standardet dhe praktikat e mira të Këshillit të Evropës dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Pjesëmarrësit u pajtuan se duhet bërë më shumë në lidhje me riintegrimin efektiv të VEO-ve në shoqëri, veçanërisht forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, rritja e kapaciteteve të institucioneve të komunitetit lokal dhe përfshirja e OShC-ve si partnerë të rëndësishëm në këto përpjekje. Përfundimet e kësaj konference do t’u mundësojnë koordinatorëve për parandalimin dhe luftimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, institucioneve të tjera përkatëse dhe profesionistëve në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, të punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat e përbashkëta, për të harmonizuar zhvillimin dhe përmirësimin e dokumenteve strategjike, dhe për të avancuar më tej bashkëpunimin rajonal dhe partneritetin ndërmjet institucioneve, komuniteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile. Konferenca u organizua si pjesë e projektit të Këshillit të Evropës “Ofrimi i riintegrimit efektiv të autorëve të veprave ekstremiste të dhunshme në Bosnje dhe Hercegovinë”, i financuar përmes kontributeve vullnetare në kuadër të Planit të Veprimit të Këshillit të Evropës për Bosnje dhe Hercegovinën 2022–2025, në bashkëpunim me veprimin rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit pas lirimit”, që është pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “ Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”. * Kjo përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin dhe është në përputhje me RKSJ 1244 dhe opinionin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.