Rehabilitimi i qëndrueshëm në sistemet e burgjeve dhe shërbimit të provës u diskutua me autoritetet në Shqipëri.

Autoritetet e burgjeve shqiptare janë të angazhuara të sigurojnë përdorimin afatgjatë të mjeteve të reja të zhvilluara për autorët e veprave ekstremiste të dhunshme dhe të miratojnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zbatimin e tyre në të gjithë sistemin penitenciar dhe atë të provës. Ky angazhim u theksua gjatë diskutimeve të fundit midis Predrag Šofranac, Menaxher i Programit të Veprimit Rajonal të përbashkët BE/Këshilli i Evropës “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit” dhe përfituesve kryesorë në Shqipëri - Klevis Qose, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Administratës së Burgjeve dhe Eris Sheshi, Drejtor i Shërbimit të Provës. Takimet u fokusuan në forcimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të autorëve të veprave ekstremiste të dhunshme (AVE) brenda sistemit të burgjeve dhe provës në Shqipëri. Partnerët diskutuan progresin e arritur deri më tani, duke adresuar aktivitetet e ardhshme në Shqipëri dhe në rajon. Takimi trajtoi sfidat dhe nevojat e sistemeve shqiptare penitenciare dhe të provës, si dhe fushat ku mbështetja e mëtejshme nga Këshilli i Evropës do të ishte thelbësore për avancimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të AVE-ve. Pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e suksesshëm me Këshillin e Evropës, duke përsëritur angazhimin e tyre për të investuar më tej në drejtim të rehabilitimit dhe riintegrimit efektiv të AVE-ve, si dhe duke njohur rolin e tyre në kontributin për një shoqëri të sigurt dhe të mbrojtur. Kjo nismë është pjesë e veprimit rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit” nën ombrellën e fazës së tretë të programit të përbashkët BE dhe Këshilli i Evropës Horizontal Facility.